Dikur Enver Hoxha i pushkatonte, sot shesin vendin e vazhdojnë të fryjnë barkun…

Nga Evanthi PANGO

Çudi e madhe…si mund një vend që tradhëtohet ditë e natë, hapur fare, në bare, hotele e restorante, ku përfaqësuesve të nëndheshëm të shteteve të huaja I vetofrohen informacione mbi aktivitete e asete kombëtare, të vazhdojë të funksionojë me të njëjtin sistem që promovon “tradhëtinë kombëtare”, për ca qejfe më shumë të të pangopurve e fëmijëve të tyre.

Kaq do të mjaftonte në çdo vend të botës, që një strukturë apo sistem i tërë, “të shembej” për “tradhëti të lartë ndaj atdheut”. Një sistem që i dihen “zorrët e barkut” nga agjencitë informative të huaja, mike e armike, po në fund të fundit nuk ka miq, kur bëhet fjalë për interesa kombëtare.

U desh SPAK, kjo strukturë, e krijuar nga një vend mik i këtij shteti, (shtet i thënçin), që ne, banorët e thjeshtë të kësaj hapësire gjeografike (paspellazgjike thonë), të dimë që çdo surrat i shëmtuar që duket sikur po bën ndonjë “muhabet me rëndësi në kafene” në fakt thjesht vetofrohet që të shesë ndonjë informacion se ç’bëhet ndonjë gjë këtej nga fshati ynë me ujëra të kulluar, fusha, kodra, brinja, gërxhe e pyje të gjelbëruar, që po thahen dita-ditës nga këta “kërma me shpirt të sterruar”.

Thonë se në kohën e Qoftëlargut, të tillë njerëz pushkatoheshin për “tradhëti të lartë ndaj atdheut”, shumë prej tyre duke marrë statusin e viktimës me kalimin e kohës, por nëse ai sistem me të drejtë gjykohet dyfish, nga Individi dhe Qeverisja, më thoni pak ky Sistemi i pas 90-ës, i hapur ndaj Lindjes dhe Perëndimit, i orientuar ndaj grykësisë dhe ndyrësisë, që shet nënë, babë e natyrë,  mos ka zhbërë dhe të vetmen gjë që pat mbetur nga ai i mëparshmi, edhe pse me anë të dhunës, atdheun, vendin, shtetin…

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here