Mësohet se një skaf është mbytur ditën e sotme pranë Zvërnecit, Vlorë, ku kanë shpëtuar mrekullisht 4 shtetas Italianë. Sipas burimeve, në mes tyre ka qenë edhe një i mitur.
Në ndihmë u ka ardhur Policia Kufitare e cila ka dhënë dhe versionin zyrtar të ngjarjes:
“Më datë 07.06.2022, rreth orës 05:30, në zonën e quajtur “Hunda e Plakut”, në plazhin e Zvërnecit një mjet lundrues (skaf), me drejtues shtetasin G. V., 61 vjeç, banues në Pavia, Itali, është përplasur me një shkëmb nënujor. Në mjet ndodheshin shtetasit M. R., 38 vjeç, K. B., 33 vjeçe dhe një i mitur, banues në Pavia, Itali.
Shërbimet e Policisë Kufitare sapo janë njoftuar, kanë organizuar punën me qëllim nxjerrjen e shtetasve në breg. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara të Policisë Kufitare dhe GDF është bërë e mundur nxjerrja e 4 shtetasve italianë në breg. Të dëmtuarve u është dhënë ndihma e parë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.”