Një thesar i ri i paçmuar u zbulua nga arkeologët egjiptianë në Nekropolis Sakhara, i cili ndoshta fsheh ende shumë sekrete të patreguara në skutat e tij. Ky është një koleksion i madh i veprave të çmuara që përfshin me dhjetëra sarkofagë të bukur të sapo zbuluar, ende të vulosur, me “banorët” e tyre të mumifikuar brenda dhe dhjetëra statuja bronzi të ruajtura më së miri.
Zbulimi i madh u prezantua dje me objektet e rreshtuara përpara piramidës së faraonit Zozer për kureshtje të shtypit që thjesht u mrekullua nën pamjen e tyre.
Zbulimet e fundit, duke përfshirë rreth 250 sarkofagë të tjerë të vulosur, erdhën nga Varrezat e Kafshëve të Shenjta në Sakhara, tha për CBS News Mustafa Waziri, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve të Egjiptit. Më shumë se 450 sarkofagë të dekoruar e të mbyllur që përmbajnë mumje në gjendje të mirë janë zbuluar në varreza, të gjitha datojnë rreth 2500 vjet më parë. Vendi i varrezave Sakhara fillimisht quhej “Bubastioni”, një referencë për perëndeshën e lashtë egjiptiane Bast, e cila adhurohej në formën e një mace. Shumë nga statujat e zbuluara përshkruanin perëndeshën. Në vitin 2019, megjithatë, vendi u riemërua Varrezat e Shenjta pasi arkeologët zbuluan kafshë të mumifikuara dhe statuja të hyjnive të tjera egjiptiane atje, tha për rrjetin e njohur televiziv amerikan Dr. Mohamed Al Saidi, drejtues i misionit.
Objektet e zbuluara të hënën numëronin rreth 150 statuja bronzi të hyjnive egjiptiane të madhësive të ndryshme, duke përfshirë disa që përshkruanin perënditë Anubis, Osiris, Isis dhe Athor.
“Ne gjetëm dy statuja të bukura prej druri me fytyrat e arta të hyjnive Isis dhe Nephthys në një sarkofag, të quajtur patronët e sarkofagut,” tha Mohamed Al Saidi për artefaktet e nxjerra nga një prej puseve të gërmimit në varreza.
Brenda të njëjtit sarkofag, arkeologët kanë zbuluar një papirus që besojnë se mund të jetë pothuajse 9 metra i gjatë dhe përmban kapituj nga “Libri i të Vdekurve”. Papirusi është dërguar për hulumtim të mëtejshëm në Laboratorin e Muzeut Egjiptian.