Nga EVA PANGO
Zakonisht thuhet që durimi e ka një limit, prandaj sa herë një situatë bëhet e padurueshme, shpeshherë themi
“nuk mban më ujë pilafi” apo “kupa u mbush” apo thjesht “mjaft më” . Duket sikur ky limit nuk do arrijë kurrë në Shqipëri, ku
prej dekadash dëgjohen të njëjtat fjalë e “premtime” që rrjedhin lumë, e kalojnë nga i njëjti shtrat. Dua të them, jo se lumi duhet të thahet e të
ndërrojë shtrat, po ky “lumi ynë” ka dalë nga shtrati me kohë e ka marrë ç’i ka dalë përpara, përfshi moralin e vetëdijen tonë. I llumosur e plehërosur sa më s’ka, jo se s’do e kisha dëshirën të thahej…
Gjithsesi, vetëm brenda ditës së sotme, më 16 Maj 2022, një ditë përpara Festës së Rilindasve Modernë, kam dëgjuar të njëjtat fjalë e premtime nga
politikanët Shqiptarë, fytyrat e të cilëve janë fishkur tashmë, që i kam
dëgjuar e parë që kur kam lindur, unë e brezi im. Rrëfimin po e bëj në vetë të parë, sepse dhe ndjesinë e kam personale, edhe pse kam bindjen e
plotë që e ka çdo shqiptar, nga këta pak që kanë mbetur këtu brenda, se të tjerët me të drejtë i futën një “mendje të lehtë” e ikën.
Që ta vazhdoj dhe konkretizoj, vetëm sot pra, kam dëgjuar nga Lideri i Tranzicionit dhe i Rilinduri i Fundit, premtime të tipit:
“do ulim varfërine” , “do dyfishojmë ndihmën ekonomike”, “do ulim taksat” , “do rikthejmë rininë”, vazhdojmë…
“do ulim informalitetin”, “jo emërime politike” etj, etj.
Tani, nëse më pyesni kush tha çfarë, Rama e Berisha, unë personalisht nuk i mbaj mend më. E vetmja ndjesi që më vjen është që ndihem e tallur,
shto këtu buzëqeshjen e zonjës Kryemadhi që ka luksin të diskutojë operacionet e shumëpërfolura plastike, e që medemek po qëndron këtu për inat të Ramës!
Të gjitha brenda ditës së sotme…
Çfarë dreqin?!
Sot, ku më shumë se gjysma e studentëve, shokëve e shoqeve, që ëndërronim, kanë ikur…
që Sali Berisha të mbushë 80 vjeç në politikë, e Edi Rama të çojë marrëzinë e tij deri në fund, e brezi deri në 40 vjeç të mos përfaqësohet më
kurrë… sepse ka ikur! E bashkë me të dhe durimi ynë, sepse çfarë ikën nuk plaket, thjesht zhduket, zhbëhet, ndërpritet e kushedi, nëse një grimë mbetet…