TIRANË-Si funksiononte mashtrimi? SPAK zbardhi skemen. Personat (italianet) kontaktoheshin nëpërmjet telefonit, u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta. Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.
Në këtë kontekst, viktima shkarkonte sipas udhëzimeve te telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, faktikisht duke i lejuar mashtruesit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës, duke e lejuar për tu futur direkt në numrat e llogarive bankare.
Të njëjtët mashtrues, me qëllim marrjen e më shumë parave nga “blerësit”, i bënin të besojnë viktimat se për të hyrë në zotërim të shumave shumë të mëdha të fituara nëpërmjet investimit, duhet të paguajnë një lloj takse/komisioni sipas rregullave të prezumuara, të vendosur nga Banka Qëndrore Evropiane duke qenë se Shoqëria e Trading-ut gjendet në Angli, pra jashtë Bashkimit Europian.
Ndër të tjera, hetimet nxorën në pah se grupi kriminal ishte shume i kujdesshëm me qëllim për të mos u zbuluar, kryente lidhjen “AnyDesk” në kompjuterat personal të viktimave, duke përdorur një server italian të provider-it Aruba, që garantonte në fakt fshehjen reale të adresës IP nga ku kishte kryer komunikimi, duke bërë serverin si “nyje” të vetme për të gjitha komunikimet.
‘Në përfundim të hetimit, është evidentuar në mënyrë të qartë ekzistenca e grupit të strukturuar kriminal ndërkombëtar, me qëllim mashtrimin financiar nëpërmjet “trading on line” në dëm të personave me banim në Itali. Hetimet e kryera më pas, bënë të mundur konstatimin dhe atribuimin grupit kriminal, të episodeve të shumta mashtrimi të kryera ndaj personave me banim në të gjithë territorin e Italisë, të cilat i kanë dhënë grupit kriminal një fitim total prej rreth 4 700 000 euro, që dyshohet se është vetëm një pjesë e vogël e shumës së përfituar nga grupi si rezultat i kësaj veprimtarie kriminale’ thuhet në njoftimin e SPAK.
Si nisën hetimet?
Hetimi ka filluar pas kallëzimit të shtetasit italian A.B. në 28.09.2020 (procedimi penal nr. 2041/2020 mod.44), i cili raportoi se kishte investuar një shumë të madhe parash (një total prej 700.000 euro), sepse ishte tërhequr nga një reklamë e gjetur në internet e cila e kishte ftuar të investojë në aksione të Amazon dhe që do të kishin siguruar një marrëveshje të madhe përfitimi. Pas një interesi nga ana e tij, i njëjti person ka raportuar se ishte kontaktuar nga disa të vetëquajtur “ndërmjetës financiarë” të cilët, si pjesë e të njëjtit propozim investimi, duke synuar përfitimin e shumave të mëdha nga transferime të shumta financiare.
Në denoncimin e depozituar nga A. B. janë specifikuar në detaje të gjitha mënyrat e mashtrimit të pësuar, duke evidentuar se ka marrë kontakte telefonike dhe me postë elektronike me të poshtëshënuarit “operatorë financiarë” me të cilët kishte shkëmbyer dokumente të ndryshëm.
Call Centeri tek Don Bosko
Si rezultat i hetimit të përbashkët fillimisht u bë i mundur identifikimi i Call centerit dhe disa nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, sipas të cilit rezultonte se i kishte sjellë këtij grupimi kriminal një shumë të përgjithshme prej 1.300.000 eurosh, që mendohet të jetë vetëm një pjesë e vogël e shumës së përfituar nga grupi si vijim i aktivitetit kriminal.
Ky grup kriminal dyshohej se kishte ushtruar aktivitetin e tij deri në muajt prill ose maj të vitit 2022 ku edhe ka mbyllur aktivitetin e Call Centerit, me adresë rruga “Don Bosko” .
Kontrolli ne call Centerin ne rrugen “Dritan Hoxha”
Më 21 tetor 2022 fillimisht GJKKO caktoi masën arrest me burg për shtetasin Gilbert Pushani dhe arrest në shtëpi për shtetaset V. A. dhe E. Ç, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal” .
Ky vendim u ekzekutua nga policia gjyqësore në datë 25 tetor 2022. Njëkohësisht me arrestimet e shtetasve të mësipërm, më datë 25 tetor 2022, gjykata autorizoi kontrollin dhe sekuestron e Call Center-it të përdorur nga grupi kriminal me vendndodhje në Tiranë – Rruga “Dritan Hoxha” – Kompleksi “Karavan U2” – kati nr. 2.
Në përfundim të kontrollit ndaj të dyshuarve dhe nga kontrolli në call center-in në Rrugën “Dritan Hoxha”, i cili në momentin e ekzekutimit ishte pa persona brenda, dha një rezultat pozitiv pasi lejoi gjetjen dhe sekuestrimin e 68 kompjuterëve personalë dhe materialeve të tjera të konsideruara me interes të veçantë hetimor.
Mbi bazën nxjerrjes së të dhënave kompjuterike të cilat janë analizuar me hollësi dhe konfirmuar me kallëzimet e personave të dënuar në Itali, të dhëna të cilat përputheshin plotësisht, mbi bazën e verifikime të kryera nga ana e organit procedues, me vendimin nr. 92 datë 21.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur caktimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg“, ndaj shtetasve Bruno Çobo, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Gjin Shelnishta, Hamit Dobi, Erion Kastrati, Mojsi Zuna, Florjan Bregu, Orland Cani, si dhe masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, ndaj shtetaseve Rezarta Ibrahimi, Antoneta (Malo) Pepkolaj, Olta Toçi, Greta Pepa, Silvana Veliu, si të dyshuar se kanë konsumuar elementët të veprave penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
Këto masa janë ekzekutuar në datë 27.07.2023 për shtetasit Aldo Pasku, Gjin Shelnishta, Hamit Dobi, Erion Kastrati, Mojsi Zuna, Rezarta Ibrahimi, Olta Toçi, Greta Pepa, Silvana Veliu, në datë 28.07.2023 për shtetasin Bruno Gjika dhe në datë 15.01.2024 për shtetasen Antoneta Malo (Pepkolaj).
Sipas SPAK mashtrimi është kryer në dëm të disa personave dhe për këtë arsye vepra penale e mashtrimit kompjuterik është konsumuar për të gjithë të hetuarit.
Nga analiza e elementëve të veprave penale të mësipërme rezulton se në rastin konkret, shtetasi Bruno Çobo ka konsumuar tërësisht të gjitha elementët e figurës së veprave penale “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Ndërsa për shtetasit Elisa Caci, Gilbert Pushani dhe Valbona Abedinaj, Rezarta Ibrahimi, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Antoneta Pepkolaj, Shelnishta, Hamit Dobi Erion Kastrati, Olta Toçi, Orland Cani, Greta Pepa, Silvana Veliu, Mojsi Zuna dhe Florjan Bregu, kanë konsumuar elementët të veprave penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal informoi SPAK
Nga hetimi rezulton se në këtë aktivitet të kundërligjshëm janë të përfshirë edhe persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj, për të cilët vazhdojnë hetimet në kuadër të procedimit penal të ndarë Nr.121/1 të vitit 2021, për të njëjtat vepra penale informon SPAK.