KOSOVË- Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” së bashku me Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së Visa Cengur në Prizren. Ngjarja e rëndë u regjistrua në janar të vitit 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren ku më pas humbi jetën Cengu.
Deklarimin rreth fajësisë të akuzuarit e bënë në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Bina-Rugova.
“Absolutisht, për asnjërën hiç edhe kisha pas qejf nëse vetëm njëra prej provave që i ka cek ajo figuron dora jem apo diçka…qitu burgim të përjetshëm”, tha Hoxhaj.
Pas replikave nga ana e Hoxhajt u mor vendimi për përjashtimin e tij nga salla dhe më pas ai rikthye sërish në sallë pasi u qetësua. Pas kthimit në seancë, kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi i kërkoi që të jetë i sjellshëm në seancë.
“Unë i bëj thirrje familjes së të ndjerit dhe kushdo që të jenë, unë po du që ta gjejnë veten këtu, po kur s’jam unë e kush ka bo pazare me mu, oficerë-policë apo këta, e atëherë masandej…veç në Jupiter të shkofshin. Për Dibranin ma asnjë vërejtje s’ke me pas deri në fund, ki me pa, po ta jep fjalën që jo për frikë, për frikë në bunar m’u mshefë, kam me ndejt gjithmonë në heshtje. Ju kërkoj falje… kushdo që ka bo pazar policë apo këta me jetën teme…”, tha Hoxhaj.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Dibran Hoxhaj dhe pesë të tjerët u lanë në burg nga Gjykata, masë e dhënë një ditë më parë. I riu i njohur si ‘Kobra’ është përleshur me tre të rinjtë nga Kukësi, dy prej tyre të identifikuar si Visart Cengu dhe Rufgen Shehu. Sherri ka nisur pasi të rinjtë nuk kanë pranuar që të paguanin faturën prej 400 eurosh që kishin konsumuar në lokalin e Dibran Hoxhajt. Pas përleshjes fizike, Hoxhaj ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj klientëve. Si pasojë e të shtënave, Cengu ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij është plagosur. Ai nuk është një emër i panjohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar më parë për trafik droge dhe përleshje fizike.