Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Orthodhokse dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Ka shumë hamendje mbi vitin e vdekjes së Jizusit. Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, vendoset çdo vit të dielën pasuese, të parën hënë të plotë pas baraznatës (ekuinoksit) të pranverës (21 marsi). Ky sistem u fiksua përfundimisht në qv. e VI. Në lashtësi mund të kishte përdorime të ndryshme vendore mbi ndjekjen e datës, sidoqoftë të gjitha të lidhura me njehsimin e pashkëve hebraike. Në veçanti disa kisha të Azisë ndiqnin traditën e festimit të pashkëve në të njëjtën ditë me ato hebraike, pa përfillur të dielën. Pra data e Pashkëve është përfshirë mes 22 marsit dhe 25 prillit.
Pas orës 00.00 të gjithë besimtarët e krishterë kremtojnë Pashkët, simbolin e ringjalljes së Jezu Krishtit, i cili u kryqëzua për mëkatet e njerëzimit. Festimet e kësaj dite nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe me drekën tradicionale të së dielës. Urimet për më shumë begati dhe “dritë” në zemrat e besimtarëve nuk mund t’i mungojnë kësaj feste. “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve.
Vezët e kuqe – Janë simbol i lindjes dhe rrjedhimisht i kalimit në një jetë të re. Sipas traditës, zogu që del nga lëvozhga është një metaforë që përshkruan Jezusin në aktin e zbulimit të Varrit në kohën e Ringjalljes. Vezët që nga kohët e lashta, me formën e tyre të përsosur, janë simbol i bashkimit të tokës dhe qiellit ose të katër elementeve (ujë, ajër, tokë, zjarr). Si një guaskë që mishëron jetën, janë shenjë e rilindjes së pranverës: vezët rishfaqen në tryezë në ditën e Pashkëve pas periudhës së pendesës Kreshmore. Zakoni i sjelljes së vezëve artificiale si një dhuratë daton në Mesjetë dhe në klasat fisnike: përdoreshin materiale të çmuara si ari dhe argjendi, ndërsa vezët e para me surpriza brenda janë krijuar nga argjendari francez Peter Carl Fabergé në fund të shekulli të XIX të porositura nga carët të Rusisë.